Friday, December 18, 2009

I PASHTRUAR NË ZEMËR APO I ZËNË ROB NGA ARMIKU?

Është një thënie e vjetër që është më mirë të ndalosh sa je në kohë. Në librin e tij, «I pashtruar në zemër» (Thomas Nelson, bot.), autori Xhon Elldrixhi (John Eldredge) do të kishte përfituar shumë nga kjo këshillë. Ai me shumë të drejtë tregon se burrat po pushojnë të jenë burra për shkak të ndikimit të shoqërisë, ndryshimit të zakoneve sociale dhe feminizmit. Sipas Eldrixhit, burrat duhet të jenë «burra».

Ai duhet të kishte ndaluar në këtë pikë. Në vend që t'i drejtohet Shkrimit, ai përdor prodhimet e Hollivudit, që me sa duket u flasin më shumë burrave të krishterë sesa studimet e Biblës: «Krahasoje përvojën tënde me shikimin e filmit të fundit plot me emocione të Xhejms Bondit ose Indiana Xhounsit me, le të themi, të shkosh në studimin e Biblës» (I pashtruar në zemër», fq. 13). Pavarësisht se sa mund të frymëzohet mishi ynë nga heronjtë e filmave, në Bibël kemi të dhënat historike të burrave (dhe grave) të vërtetë dhe e dimë se «të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë...» (1 Kor. 10:11). Si ka mundësi që jetesa e hapur imorale e Xhejms Bondit t'i inkurajojë dhe frymëzojë burrat që të jenë burra të vërtetë siç e përcakton Bibla? «Aktet heroike» të Bondit mund t'i ngjallin emocionet tona, por ai mbetet një figurë e trillimit moralisht me të meta.

«I pashtruar në zemër» ka dalë për ca kohë, por pyet pothuaj çdo djalosh të krishterë dhe ka shumë mundësi që ky libër t'i jetë ofruar në ndonjë studim të Biblës për burrat, në ndonjë kamp etj., si një ndihmë për «të rigjetur zemrën [e tij] mashkullore». Eldrixhi i fton edhe gratë të «zbulojnë sekretin e shpirtit të një mashkulli dhe të gëzohen në forcën dhe egërsinë të cilën burrat u krijuan të japin». Por çfarë do të thotë kjo? Shumë burrave u pëlqen gjuetia, peshkimi dhe jeta në ambient të hapur, por jo të gjithëve. Kjo nuk i bën ata më pak burra. Kuraja dhe aventura nuk kufizohen me sfidën e shkretëtirës apo me ngjitjen e mureve të kështjellës. Le të flasim për kurajën që duhet për t'i folur komshiut, familjes apo të huajit për ungjillin!

Eldrixhi i merr si të mirëqena tri parime të supozuara në lidhje me burrat: «një betejë për të luftuar, një aventurë për të jetuar dhe një bukuri për të çliruar» (fq. 9). Askush nuk mund t'i gjejë këto «parime» në Shkrimin e Shenjtë, kështu Eldrixhi duhet të improvizojë, duke e bërë Shkrimin që të mbështetë një kusht jobiblik.

Ai nënkupton se vetëm në «vende të egra» e takojnë burrat e vërtetë Perëndinë. Ai flet për Jakobin, Moisiun dhe Elian. «Moisiu nuk e takon Perëndinë e gjallë në qendrën tregtare. Ai e gjen atë (ose gjendet prej tij) [...] larg në vendet e shkreta të Sinait, një rrugë shumë larg rehatisë së Egjiptit» (fq. 5). Eldrixhi pyet: «Ku shkoi Elia për të rigjetur forcën e tij? Në shkretëtirë» (fq. 5). Në të tre këto raste, këta burra u gjetën (ose e gjetën) Perëndinë pasi u përballën me sfida prej të cilave ia mbathën! Moisiu nuk u largua nga rehatia e Egjiptit, pasi parapëlqente shkretëtirën. Ai ia mbathi në Madian pasi dështoi plani i shpikur prej tij për të çliruar Izraelin dhe faraoni u përpoq ta ekzekutonte (Eks. 2:11-15)! Jakobi ishte i vetëm në shkretëtirë pasi i druhej hakmarrjes së vëllait të tij Esau (Zan. 32:6-25). Elia nuk «shkoi të rigjente forcën e tij» në shkretëtirë. Ai rendi atje për jetën e vet për ta ruajtur veten nga Jezebeli (1 Mbr. 19:3). Perëndia e takoi Elian në shkretëtirë, i shërbeu atij dhe i caktoi detyra që e çuan atë larg shkretëtirës (1 Mbr. 19:15-19).

Edhe pse e mohon «deizmin e hapur», Eldrixhi e portretizon Perëndinë si «një person që ndërmerr rreziqe të pafund» (fq. 30), pasi «nuk është në natyrën e Perëndisë që t'i kufizojë rreziqet dhe të mbulojë bazat e tij» (fq. 31). Ai shkruan gjithashtu: «Si me çdo marrëdhënie, ka njëfarë sasie paparashikueshmërie.... Gatishmëria e Perëndisë për të rrezikuar është thjesht befasuese...» (fq. 32). Kjo, sigurisht, nuk është biblike. Po, Zoti u dha njerëzve aftësinë të zgjedhin, por plani i Tij për shpengimin e tyre ishte në vend përpara krijimit. Zoti Jezus është «Qengji, që ishte vrarë që nga krijimi i botës» (Zbu. 13:8). Psalmi 90:2 na thotë: «Madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia».

Në mënyrë të përsëritur, Eldrixhi i drejtohet një shembulli jobiblik që duket se nuk i ka menduar mirë shënimet e tij. Ai tregon se si «pasi pashë Gladiatorin, doja kaq shumë të bëhesha si Maksimusi» (fq. 134). Vërtet? Po çfarë dimë për Maksimusin? Ai ishte një politeist që kërkoi hakmarrje të përgjakshme përmes dhunës dhe këtë e fitoi në çastet e vdekjes. A është ky shembulli që ka lënë Krishti për t'u ndjekur nga burrat e Perëndisë? «Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij”. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht» (1 Pje. 2:21-23). Por Eldrixhi shkon aq larg, sa të shpall se Perëndia i ka thënë atij: «Ti je Henri V mbas Aginkourtit [...] burri në arenë, fytyra e të cilit është e mbuluar me gjak dhe djersë dhe pluhur, i cili luftoi trimërisht [...] një luftëtar i madh [...] po, madje Maksimusi» [shumëpikëshet nga autori].

Gjithashtu ne besojmë se «përdorimi» që ai i bën Adamit dhe Evës është jobiblik (pra, që Adami ishte me Evën gjatë tundimit). Të dhënat e Shkrimit (Zan. 3:1) fillojnë me gjarprin duke i folur Evës. Vargu që citohet (Zan. 3:6) nuk thotë që Adami ishte me Evën dhe të përfundosh ndryshe duket se kërkon të lexosh diçka tjetër në këtë radhitje të ngjarjeve. Eva «mori nga fruti», që, sipas përkthimit të fjalëpërfjalshëm të hebraishtes do të thotë «e mori me vete, e mbarti me vete ose e largoi». Nënkuptimi i fortë është se ajo ia çoi frutën Adamit para se t'ia jepte atij. Kjo nuk i jep asnjë justifikim sjelljes së Adamit. Eva u mashtrua dhe mëkatoi, por Adami nuk u mashtrua, na thotë Pali (1 Tim. 2:14). Në fakt, Adami mëkatoi me sy të hapur.

Gjithashtu Eldrixhi ka bashkëpunuar me gruan e tij, Stasi, mbi një libër për gratë. Dikur në të kaluarën është vlerësuar numri 14 i librave më të shitur në NYT në kategorinë e «këshillës» (dhe vazhdon të jetë në listën e librave më të shitur për 2009), është libri «Magjepsëse: Zbulimi i misterit të shpirtit të gruas» nga Xhon dhe Stasi Eldrixh. Duket se Xhoni ia tejkalon shumë Stasit në shkrimin e këtij libri, duke cituar shpesh pjesë të tëra nga «I pashtruar në zemër» (prit një minutë – a nuk u drejtohet grave libri «Magjepsëse»?). Në përgjithësi, koncepti i plotë mbrapa librit është disi frikësues, nga një perspektivë biblike. Si në «I pashtruar në zemër», lexuesi kujtohet vazhdimisht për «fëmijën përbrenda», me ëndrrat dhe shpresat e fëmijërisë. Përsëri ofrohen filmat në përzierje si një mënyrë për të përcaktuar atë që gratë (dhe burrat) dëshirojnë vërtet në jetën e tyre dhe kjo krahasohet me atë se si Jezusi përdori «tregime» për t'i arritur zemrat e njerëzve.

Libri «Magjepsëse» i është kushtuar ndihmës së grave për të zbuluar rolin e tyre në lidhje me burrin në jetën e tyre dhe që t'i shohin gjërat përmes syve të tij. Një pjesë përshkruan se si një burrë mund të jetë i dhënë pas pornografisë ose tradhtisë bashkëshortore. Jo, nuk është mëkat në jetën e tij, lakmi në zemrën e tij apo ndonjë nga gjërat për të cilat Bibla na paralajmëron. Ajo që ai është duke kërkuar, sipas Eldrixhit, është në të vërtetë miratim (ang. validation), zonja, dhe nëse burri juaj nuk ndihet i miratuar nga ju (dhe, si shënim anësor ata shtojnë: «dhe nëse marrëdhënia e tij me Zotin nuk ia jep atij këtë miratim»), atëherë fytyra e parë bukuroshe që i del përpara dhe i ofron diçka më të mirë, ky djalë është histori. Çfarë u mëson kjo grave? A është madje e vërtetë? Bibla na thotë: «Burra, t'i doni gratë tuaja.... Gra, respektoni burrat tuaja». Ajo thotë edhe që kur e sheh një grua për ta dëshiruar, do të thotë të kryesh kurorëshkelje me të. Por këtu barra bie mbi gruan që të përpiqet vazhdimisht të jetojë sipas pritjeve (tepër jorealiste) të burrit të saj (ndoshta plot me mëkate), ndryshe të jetë gati ta shohë atë duke dalë nga dera dhe t'i qepet minifundit të shkurtër të radhës. A është kështu se si një burrë e do gruan e tij, sikurse Krishti e deshi kishën?

Një pjesë tjetër merret me librin e Ruthit në Bibël dhe se si ajo «e magjepsi»një burrë. Këtu kemi tregimin e bukur të dashurisë së përulur të një gruaje për Naomin, një vjehërr që nuk kishte asgjë për t'i ofruar. Shohim bindjen e Ruthit ndaj Naomit dhe bekimin pasues të Perëndisë në jetën e saj, duke çuar në lindjen e ardhshme të Jezusit, Mesias. Eldrixhët e paraqesin këtë si një shembull se si «të kapësh një burrë». Ky tregim ngjason shumë pak me Shkrimin. Sipas Eldrixhit, «Boazi është një njeri i mirë.... Por Boazi nuk po i jep Ruthit atë që ajo ka vërtet nevojë – një unazë. Kështu [...] Ruthi [...] e josh atë.... Burrat kishin punuar deri në muzg [...] ata sapo kanë mbaruar dhe tani është koha e festës.... Ruthi bën një banjë të mirë dhe vesh një fustan dërrmues; pastaj ajo pret çastin e duhur [...] vonë atë mbrëmje pasi Boazi kishte pirë ca si shumë: “Pasi Boazi hëngri e piu dhe [ishte] me zemër të gëzuar...” (Ruth. 3:7)». Eldrixhi komenton: «“Me zemër të gëzuar” [ang. “good spirits”] është aty për lexuesit konservatorë. Ai ishte i pirë, që është e dukshme nga ajo që ai bën më pas: i rraskapitur: “shkoi të shtrihet në pjesën fundore të grumbullit të grurit” (Ruth. 3:7).... Ruthi “iu afrua pa zhurmë, i zbuloi këmbët dhe u shtri”». Ai vazhdon: «Nuk ka asnjë lexim të mundshëm të kësaj pjese që të jetë “i sigurt” ose “i këndshëm”. Kjo është joshje, e pastër dhe e thjeshtë – dhe Perëndia e nxjerr si shembull për të gjitha gratë që ta ndjekin kur Ai [...] i jep Ruthit librin e saj në Bibël [dhe] e rendit atë në gjenealogjinë. Po, ka njerëz që do të përpiqen t'ju thonë se është krejtësisht e zakonshme që një grua e bukur beqare “në atë kulturë” t'i afrohet një burri beqar (që ka pirë tepër) në mes të natës pa patur askënd tjetër pranë (në pjesën fundore të grumbullit të grurit) dhe që e fut veten nën mbulesa. Ata janë të njëjtët njerëz që do t'ju thonë se Kënga e Këngëve nuk është asgjë më tepër se një metaforë teologjike që i referohet Krishtit dhe nuses së tij (KeK. 7:7-8).... Unë po ju them se mendoj që kisha ia ka paralizuar me të vërtetë gratë kur u thotë atyre se bukuria e tyre është e kotë dhe që janë në anën femërore më të mirë të tyren kur u shërbejnë të tjerëve (fq. 156-57) [theksimi i shtuar].

Është e trishtueshme që ky çift ka arritur të marrë tekste nga Bibla dhe t'ia prishin dhe shtrembërojnë kuptimin për t'iu përshtatur idesë së vetë atyre për dashurinë, martesën dhe paraqitjen e vetes si një sakrificë e gjallë para Perëndisë. Këto libra vazhdojnë t'u ofrohen burrave të rinj dhe grave të reja (dhe atyre jo aq shumë të rinj) në kisha, studime të Biblës dhe rekomandohen në lista leximesh të krishtera. E futim veten në telashe serioze kur Fjala e Perëndisë kthehet në një karikaturë dhe burrat e gratë e Perëndisë vendosen në një dritë të dobët dhe më pak se të ndershme. Le të jemi të shpejtë të dallojmë kur autorë «të krishterë» përpiqen ta përshkruajnë jetën e krishterë në një mënyrë të kundërt me të vërtetën e Shkrimit.

0 comments:

Post a Comment

 

besimtaret-ungjillor © 2008. Design By: SkinCorner